Depozitat në lekë shënojnë rritje rekord dhe në janar nga bizneset, bien në euro
Kursimet në lekë arrijnë 737 mld lekë, ndërsa depozitat në euro shënojnë rënie mujore.
Muaji janar shënoi një rritje rekord të depozitave në monedhën vendase, të nxitura kryesisht nga bizneset private dhe institucionet publike, ndërsa kursimet në valutë paraqitën një tkurrje mujore. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në janar 2026 depozitat në lekë të individëve, bizneseve dhe institucioneve arritën në 737 miliardë lekë, me një shtesë prej 26 miliardë lekësh ose 4% krahasuar me dhjetorin 2025. Në krahasim me janarin e një viti më parë, rritja është 85 miliardë lekë, ose 13.1%.
Bizneset dhe korporatat publike nxisin rritjen
Zgjerimi i pazakontë i janarit u ndikua kryesisht nga kursimet e bizneseve, të cilat u rritën me 10% ose rreth 11 miliardë lekë, si dhe nga korporatat publike me një rritje prej 36% ose 9 miliardë lekë. Ndërkohë, depozitat e individëve kanë ndjekur një ecuri më të qëndrueshme dhe pa luhatje të forta.
Depozitat në euro bien në muaj, rriten në vit
Në të kundërt, depozitat në valutë shënuan një rënie të lehtë mujore, duke zbritur me 37 milionë euro, ose 0.4% më pak se në dhjetor. Megjithatë, në bazë vjetore kursimet në euro janë rritur me 629 milionë euro, ose 7.7%. Banka e Shqipërisë raporton stokun total të depozitave në lekë dhe euro të konvertuara në monedhën vendase, i cili në fund të janarit arriti në rreth 1.5 trilionë lekë, mbi 15 miliardë euro. Për shkak të zhvlerësimit të euros vitet e fundit, vlera e depozitave në euro e raportuar në lekë rezulton më e ulët.
2025, viti i rekordit për kursimet në lekë
Edhe gjatë vitit 2025 depozitat në monedhën vendase shënuan rritjen më të lartë historike, ndërsa shtesa e kursimeve në euro u ngadalësua krahasuar me vitet e mëparshme. Në fund të 2025-s, në banka ishin të depozituara 710.6 miliardë lekë në monedhën vendase, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Në të njëjtën kohë, individët, bizneset dhe institucionet mbanin në banka rreth 8.7 miliardë euro depozita.